Me Toskëri kuptohet “…i gjithë Jugu i Shqipnisë, tue u nisë që nga lumi Shkumbi dhe tue u shtri në drejtim të jugut përtej kufijve politikë deri në kufinin etnik të popullit shqiptar, thellë në Greqi”. Ndarja në grupe më të vegjel e Toskërisë është: 1) Tosknia, që shtrihet në lindje të Shqipnisë së Jugut; 2) Myzeqeja, që shtrihet në perëndim; 3) Çamëria, që shtrihet fare në jugë përtej kufijve politikë. Doris dhe Erich Stocckman japin këtë përcaktim: “Toskët … banojnë në zonën ndërmjet lumenjëve Shkumbin dhe Vjosë. Në jug të Vjosës gjenden Labët”.

Labëria kufizohet nga veriu dhe verilindja me lumin Vjosa, nga Perëndimi me detin Jon dhe Adriatik, ndërsa nga jugu pjesërisht me lumin Pavëll dhe pjësërisht nga vija e kufirit shtetëror me Greqinë”. Sipas përcaktimit të popullit, Laberia gjendet në mes të tri urave që janë: ajo e Dragotit, Drashovicës dhe Kalasës, përkatësisht në rrethet e Tepelenës, Vlorës dhe Sarandës.